Kurti për deklaratën e Blinkenit: E padrejtë, e gabuar dhe shumë naive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e cilësuar të padrejtë, të gabuar dhe naive. Kurti ka refuzuar kërkesën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor për të dërguar kryetarët në objekte tjera ose punuar nga shtëpia. Ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me SHBA-të dhe stërvitjet Defender Europe 2023 janë anuluar për shkak të kësaj situatë. Nga ana tjetër opozita e Kosovës ka fajësuar Kurtin për tensionet me aleatët dhe ka kërkuar nga ai të ndryshojë qasjen politike dhe të zgjedhë rrugën euroatlantike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të martën të përditshmes britanike “Guardian” se dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.

Ai u është referuar përleshjeve në mes të pjesëtarëve të misionit të NATO-së në Kosovë, KFOR, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nëpër ndërtesat komunale.

Kurti i ka fajësuar për dhunën në veri, ato që i ka quajtur “banda fashiste” të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

Dhuna është dënuar nga NATO-ja dhe faktori ndërkombëtar, derisa Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa në uljen e tensioneve në veri.

Të premten, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

Kurti është shprehur i pakënaqur me këtë deklaratë.

“Mendoj se jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar, e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për “Guardian”, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta, sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

Prej asaj deklarate, Kurti ka thënë se ka folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai ka thënë se Escobar u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët në objekte tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë – kërkesë që ai e ka refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi Republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën në një bashkëbisedim me gazetarë se, Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe për këtë arsye ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund”, për të.

Opozita në Kosovë ka reaguar duke e bërë Kurtin fajtor për tensionim me aletatët, sidomos SHBA-të. Përfaqësuesit opozitarë i kanë bërë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, të ndryshojë qasjen dhe të zgjedh të ardhmen dhe rrugën euroatlantike të Kosovës.

Komunat veriore të Kosovës u tensionuan pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe dhe u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./rel

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika