Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë, teksa ka shprehur shqetësimin për rritjen e tensioneve në veri, i ka bërë thirrje Kosovës e Serbisë për përmbajtje.
MPJ-ja e Polonisë përmes një reagimi ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Qëllimi i pranisë së forcave ndërkombëtare në Kosovë është të garantojnë sigurinë e të gjithë banorëve të rajonit. Shprehim solidaritetin tonë me ushtarët e plagosur të KFOR-it gjatë detyrës. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të shkaktojnë përshkallëzim të situatës”.
“Ne u bëjmë të ndalohet dhuna, të shtensionohet situata, dhe të kthehen në dialog nën patronazhin e BE-së. Po ashtu të zbatohet marrëveshja për normalizim mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në reagim.
Protestuesit serbë që kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar janë mbledhur për të tretën ditë me radhë para objektit komunal në Zveçan.
Në këtë komunë, siç raporton gazetari i RTV Dukagjini Sylejman Sylejmani, situata aktualisht është e qetë, ani pse numri i protestuesve është më i madh në krahasim me një ditë më parë.
Protestuesit serbë janë parë të rreshtuar me një flamur të Serbisë.
Paqeruajtësit e KFOR-it para objektit komunal kanë ngritur tela gjemborë.