Protestuesit serbë që kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar janë mbledhur për të tretën ditë me radhë para objektit komunal në Zveçan.
Në këtë komunë, siç raporton gazetari i RTV Dukagjini Sylejman Sylejmani, situata aktualisht është e qetë, ani pse numri i protestuesve është më i madh në krahasim me një ditë më parë.
Protestuesit serbë janë parë të rreshtuar me një flamur të Serbisë.
Paqeruajtësit e KFOR-it para objektit komunal kanë ngritur tela gjemborë.
Ndryshe, komuniteti serb në veri është duke protestuar për të tretën ditë me radhë.
Përfaqësues të Listës Serbe kanë thënë se do t’i vazhdojnë protestat derisa të përmbushen kërkesat e tyre, përkatësisht të tërhiqen edhe kryetarët shqiptarë të komunave, edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës – i banuar me shumicë serbe.
Thirrje të ngjashme janë bërë edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur se kryetarët e rinj shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit – janë të vetmit që kanë legjitimitet të jenë në ndërtesat e komunave në veri.