Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një diskutim për të ardhmen e Kosovës në kuadër të Konferencës për Siguri Globale në Bratisllavë.
Kurti ka thënë se situata në veri është tensionuar për shkak se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen e dakorduar në Bruksel dhe se sipas tij Vuçiq i ka rënë pishman se e ka nënshkruar marrëveshjen pasi nuk do ta zbatojë atë.
“Situata është tensionuar për shkak se kemi një tekst kogja mirë të përgatitur që është kthyer në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në njohje de-facto si esencë e saj dhe pastaj e shënuar edhe në konstatimet e mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian por që implementimi po ngec se Beogradi nuk dëshiron ta bëjë këtë gjë”, ka thënë Kurti.
Në lidhje me situatën në veri tutje shefi i ekzekutivit ka thënë se nëse duan të kenë protesta paqësore, atëherë e kanë një kryeministër që është i gatshëm të dëgjojë për kërkesat e tyre.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha po ashtu Kurti.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.