Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në Bratisllavë u ka bërë me dije atyre se “do të kishte pasur mirëkuptim, nëse protesta e serbëve në veri do të ishte paqësore”.
“Bisedova me Borrellin e Lajçakun. Unë iu thashë atyre se po të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishin mirëkuptimin tim. Por jo mafiozë me shkronjën Z që shtien në drejtim të ushtarëve e policëve, hedhin granate e thërrasin “Vrisni”, “Vrisni”. Këtyre grupacioneve fashiste, ne nuk ua dorëzojmë republikën tonë demokratike. “Nëse duan protestë paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, atëherë e kanë kryeministrin e tyre që tërë jetën ka qenë aktivist politik dhe shumë është i gatshëm që t’i dëgjojë, e ndoshta edhe të pajtohet me ta”, ka thënë Kurti.
Ai përsëriti se nuk do të dorëzohet republika demokratike në duart e fashistëve.
Shefi i ekzekutivit është takuar me zyrtarët evropianë para se të marrë pjesë në Forumin “Globsec 2023” në Bratisllavë.
Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratisllavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.
Të dy liderët ishin të ftuar në Forumin e Sigurisë që po mbahet në Bratisllavë. Nga Qeveria e Kurtit thanë fillimisht se kryeministri e ka shtyrë pjesëmarrjen, për shkak të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Vuçiq, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratisllavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.