“Ilir Konushevci ishte ushtari ideal i lirisë, i denjë për pararendësin e tij, Zahir Pajaziti, të cilin e pasoi në detyra. Në kujtim të gjithë veprimtarisë dhe jetës së atij që ishte koka dhe zemra e logjistikës së luftës për çlirimin e Kosovës, sot nderojmë Ilir Konushevcin, Mërgimin e UÇK-së”.
Kështu është shprehur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka përkujtuar heroin e kombit, Ilir konushevci, në 24-vjetorin e rënies së tij, duke shtuar se vrasja e Konushevcit “duhet shtruar me të gjithë emrat dhe motivet e saj, para drejtësisë dhe para historisë”.
Ai, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka potencuar se për një ushtri luftëtarësh të lirisë si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar dhe e ngritur krejtësisht nga fillimi prej vullnetarësh, një nga sfidat më të vështira qe furnizimi me armë dhe municion.
“Historia e logjistikës së UÇK-së, ka për kryepersonazh një nga luftëtarët me kontributin më të madh dhe më të çmuar për çlirimin e Kosovës, Ilir Konushevcin – Mërgimin”, ka shtuar Kurti.
I pari i ekzekutivit, teksa ka folur për veprimtarinë e Konushevcit, ka thënë se ai i takon grupeve të para të armatosura që zgjodhën rrugën e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga Serbia okupatore.
“Më 13 maj 1992, Iliri së bashku me shokë themeluan grupin ilegal “Shqiponjat” që një vit më pas, bashkëpunoi edhe me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Nga qershori i vitit 1996, Iliri u bë i afërm me grupin e Zahir Pajazitit e Hakif Zejnullahut, të cilët bashkë me Edmond Hoxhën ranë më 31 janar 1997, si dhe ishte i pandarë me Adrian Krasniqin deri në rënien e tij më 16 tetor 1997. Ilir Konushevci u kthye në drejtuesin e grupit kryesor të logjistikës së UÇK-së”, ka shkruar kryeministri.
Sipas të parit të qeverisë, Konushevci me shokë me dhjetëra herë e kaloi kufirin që ndante Shqipërinë dhe Kosovën, duke i furnizuar me armë dhe municione pothuajse të gjitha njësitet e UÇK-së.
“Grupi logjistik i Mërgimit, ishte kanali me prurjet më të mëdha furnizuese të UÇK-së, i cili ka lënë pas një dokumentacion historik shumë të vëllimshëm dhe të pasur me shënime dhe të dhëna për logjistikën e UÇK-së”, vijon shkrimi i Kurtit.
“Natën e 8 majit 1998, Ilir Konushevci bashkë me doktor Hazir Malajn, shtëpia e të cilit ishte menduar për një bazë të re, u nisën nga Tirana për në fshatin Tpla të Tropojës, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës”.
Ndërkohë kryeministri Kurti, shkrimin e tij e vazhdoi duke treguar rrugën dhe mënyrën se si Iliri fillimisht ishte plagosur, e më vonë duke u vrarë teksa po e furnizonte Kosovën me armë.
“Rrugës nga Qafëmali drejt Bajram Currit, pas mesnatës, afër fshatit Miliskajë, ata ranë në një pritë të organizuar, ku Iliri fillimisht u plagos, kurse një nga atentatorët u plagos rëndë dhe vdiq. Iliri Konushevci dhe doktor Hazir Malaj u vranë në orët e para të 9 majit 1998, në Poravë.
Në gjendjen gati anarkike në Shqipërinë kaotike të pas trazirave të vitit 1997, ku jo të gjithë e përkrahnin luftën e UÇK-së dhe ku vepronin edhe elemente të strukturave serbe, Ilir Konushevci u vra teksa po çonte dërgesën e fundit me armë drejt Kosovës, meqë kishte vendosur që tutje të qëndronte në Kosovë”.
Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit.
Megjithëse dorasit e Ilirit u zbuluan që më 1998, “asnjë instancë e drejtësisë nuk i hetoi dhe nuk i sqaroi deri në fund rrethanat e vrasjes së tij”.