Macron: Do të duhen dekada që Ukraina të anëtarësohet në BE

Presidenti i Francës, ka paralajmëruar se mund të kalojnë dekada përpara se Ukraina të bashkohet me BE-në dhe ka propozuar një organizatë të re politike për të bashkuar vendet në kontinent që ndajnë vlerat, por që nuk janë pjesë e BE-së

Emmanuel Macron

Presidenti i Francë, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se mund të kalojnë dekada përpara se Ukraina të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe propozoi një organizatë të re politike për të bashkuar vendet në kontinent që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut.

“Ne të gjithë e dimë mirë se procesi i lejimit të anëtarësimit (Ukrainë) do të zgjaste disa vjet, në fakt ndoshta disa dekada”, ka thënë Macron, gjatë një fjalimi për Ditën e Evropës në qytetin Strasburg të Francës, shkruan BBC, transmeton Portali D.

Macron gjithashtu, ka thënë se një procedurë e shpejtë për Ukrainën do të çonte në uljen e standardeve, një ide që ai e refuzon.

“Bashkimi Evropian, duke pasur parasysh nivelin e tij të integrimit dhe ambicieve, nuk mund të jetë mënyra e vetme për të strukturuar kontinentin evropian në afat të shkurtër”,  ka thënë ai.

Në vend të kësaj, Macron propozoi atë që ai e quajti një “Komunitet Politik Evropian”, i cili do të ishte i hapur për vendet që nuk janë anëtarësuar në BE, dhe do të lejonte vendet jashtë Bashkimit Evropian, duke përfshirë Ukrainën dhe Britaninë, t’i bashkohen “vlerave thelbësore evropiane”.

“Kjo organizatë e re evropiane do t’u mundësojë kombeve demokratike evropiane që u përmbahen vlerave tona thelbësore të gjejnë një hapësirë ​​të re për bashkëpunim politik, siguri, bashkëpunim energjetik, transport, investime, infrastrukturë, lëvizje të njerëzve”, ka thënë Macron.

Gjithashtu, sipas tij kjo do t’i lejonte anëtarët dhe jo-anëtarë të BE-së t’i bashkohen arkitekturës së sigurisë së Evropës në mënyra të tjera.

Komentet e tij u bënë menjëherë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka  njoftuar se organi më i lartë i BE-së do të publikonte opinionin e tij fillestar mbi ofertën e Ukrainës për anëtarësim në qershor.

Ursula von der Leyen

Edhe zyrtarët e Kievit konfirmuan se Ukraina ka dorëzuar në Bruksel pjesën e dytë të aplikimit për anëtarësim në BE.

Normalisht vendeve u duhen vite që të negociojnë anëtarësimin në BE, me kandidatët që duhet të dëshmojnë se plotësojnë kritere të shumta, si nga respektimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit deri te të pasurit një ekonomi mjaft të fortë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka sugjeruar që BE-ja të përdorë një procedurë të veçantë për t’i dhënë Ukrainës anëtarësimin e menjëhershëm, por kjo nuk ka ndodhur.

Scholzi, kancelar i Gjermanisë pret Macronin në Berlin

Presidenti francez Emmanuel Macron, ka mbërritur në Berlin më vonë të hënën për bisedime me kancelarin gjerman Olaf Scholz rreth luftës në Ukrainë.

Ky është udhëtimi i parë i liderit francez jashtë vendit që kur u rizgjodh për një mandat të dytë muajin e kaluar.

Ai u prit me nderime ushtarake në kancelarinë përpara një takimi të planifikuar me dyer të mbyllura dhe darkës së punës, shkruan Deutsche Welle, transmeton Portali D.

27 vendet e BE-së kanë qenë plotësisht të bashkuar në mbështetjen e rezistencës së Ukrainës ndaj pushtimit të Rusisë, duke miratuar sanksione të vazhdueshme ekonomike kundër Moskës që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.

Për momentin, Ukraina ka vetëm një “Marrëveshje Asociimi” me BE-në, e cila synon hapjen e tregjeve të vendit dhe afrimin e tij me Evropën. Ai përfshin një pakt të gjerë të tregtisë së lirë dhe synon të ndihmojë në modernizimin e ekonomisë së Ukrainës.

Vendet e Evropës Lindore, mbështesin përshpejtimin e ofertës së anëtarësimit të Ukrainës, por zyrtarët e BE kanë theksuar se procesi mund të zgjasë me vite për shkak të reformave të jashtëzakonshme që ende duhet të arrihen përpara se vendi i shkatërruar nga lufta të përmbushë kriteret e BE-së.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika