Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, teksa ka komentuar tensionet në veri, ka thënë se dhuna nuk është rruga e duhur për të zgjidhur një çështje, dhe sipas tij e njëjta duhet të ndëshkohet.
Një një deklaratë para mediave, Borrell ka theksuar se kryesit e dhunës duhet të vihen para drejtësisë.
Po ashtu, bëri thirrje të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi.
“Ne duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga e duhur, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Pra, duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizje të pakoordinuara”, ka thënë Borrell gjatë hyrjes në samitin e liderëve evropianë që do të mbahet në Kishinau të Moldavisë.
🔴 LIVE NOW: HR/VP @JosepBorrellF remarks ahead of the 2nd European Political Community Summit in Moldova https://t.co/BZ4WpisI5x
— European External Action Service – EEAS 🇪🇺 (@eu_eeas) June 1, 2023
Përfaqësuesi i BE-së ka thënë se shpreson që këtë të enjte do të ketë një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Një ditë më parë ai është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Me anë të postimi në Twitter, Borrell ka theksuar nevojën për depërshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës për zbatimin e Marrëveshjes së arritur.
“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për depërshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në Bratisllavë u ka bërë me dije atyre se “do të kishte pasur mirëkuptim, nëse protesta e serbëve në veri do të ishte paqësore”.
“Bisedova me Borrellin e Lajçakun. Unë iu thashë atyre se po të kishte protestë paqësore për zgjedhje të parakohshme, do ta kishin mirëkuptimin tim. Por jo mafiozë me shkronjën Z që shtien në drejtim të ushtarëve e policëve, hedhin granate e thërrasin “Vrisni”, “Vrisni”. Këtyre grupacioneve fashiste, ne nuk ua dorëzojmë republikën tonë demokratike. “Nëse duan protestë paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, atëherë e kanë kryeministrin e tyre që tërë jetën ka qenë aktivist politik dhe shumë është i gatshëm që t’i dëgjojë, e ndoshta edhe të pajtohet me ta”, ka thënë Kurti.
Ai përsëriti se nuk do të dorëzohet republika demokratike në duart e fashistëve.