Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD), ka lëshuar një njoftim zyrtar në të cilin u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë për shkak të situatës aktuale në veri të vendit.
Në kontekstin e tensioneve të ndërlikuara dhe zhvillimeve të fundit në këtë zonë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të marrin masat e nevojshme për siguri.
MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, thuhet në njoftim.
“Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, ka njoftuar MPJD.
Në tri komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – më 26 maj filluan protestat, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
Po në këtë ditë, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.