Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka kritikuar qasjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe të gjithë partisë së tij, duke përdorur shprehjen “as mish, as peshk”, në kuptimin e të qenit neutral ose pa qartësi në qasje dhe vendimmarrje.
Mushkolaj ka theksuar se është shumë problematike që një parti politike, në këtë rast LDK-ja nuk ka treguar një qasje të qartë dhe të vendosur në lidhje me çështjet aktuale dhe problemet që po ndodhin në veri të Kosovës.
Ai deklaratën e fundit të Abdixhikut, e ka vlerësuar banale dhe si të ngushtuar.
“Çfarë janë duke dashur të bëjnë se nuk e mora vesh, Lumir Abdixhiku vazhdon me qasjen që LDK-ja e ka pasur vazhdimisht, as mish as peshk. Unë nuk e kuptova se çka tha kryetari i LDK-së sinqerisht, edhe pse ai foli shqip. Së pari për mua është jashtëzakonisht banale që një parti politike gjithë qasjen e vet karshi këtij problemi por edhe probleme të së kaluarës me i përfshi ne raportet me amerikanët, nuk po them mos me e pas këtë pjesë, por për mua është se aq shumë ta ngushtosh dhe ta tkurrë është shumë problematike”, ka thënë Mushkolaj në Debat Plus.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një deklaratë për media të mërkurën ka thënë se kjo javë nuk ishte e zakonshme dhe se vendi prej të premtes po ballafaqohet me një situatë të pamenduar dhe të paparë që një kohë të gjatë.
Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte ftuar presidenten e vendit që të flasë, të ketë pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë çështje jetike të përballjes publike të Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së.
Abdixhiku po ashtu kishte kërkuar koordinim të ngushtë të Qeverisë së Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, si hap i parë drejt qetësimit të situatës në veri.