Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për prishje të raporteve me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me tensionet në veri.
Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se në kohën kur Kosova gjendet në situatën më të rrezikshme, në vend se Kurti të sillet si kryeministër, sillet si gazetar mediokër i një televizioni shtetëror.
“Në kohën kur Kosova gjendet në situatën më të rrezikshme, në vend si të sillesh si kryeministër, sillesh si gazetar mediokër i një televizioni shtetëror. Nuk dite të ndërtoje as një fjalë, as qysh tek , as nuk i ke të bashkërenduara, i ke bërë në kundërshtim me ato që janë thënë, të duket mirë të dalësh t’u thuash mos u besoni mediave. Ti ia nise të lexosh komunikatat e Sveçlës, shqiptarët janë të shqetësuar për atë që është krijuar në veri të vendit. Zgjedhjet janë mbajtur në veri për shkak të gabimeve tua, nuk e ke mbajtur premtimin”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se Kurti i ka dërguar në objektet komunale kryetarët e komunave, ndërsa vetë qëndron në Prishtinë, të cilin e ka ftuar të shkojnë së bashku në objektet komunale dhe të shohin situatën nga afër.
“Masi po insiston kryeministër që Hetemi e Peci e Atiqi të shkojnë në ndërtesa komunale, pse s’po shkon ti o zotëri? Po hymë bashkë në ato ndërtesa komunale, po shkojmë bashkë, pse po insiston të dërgosh tre persona që jetojnë në atë komunë, po u bën presion. Hajde shkojmë bashkë në veri, hymë në zyre me kryetarët, lehtë është nga Prishtina”, ka thënë Krasniqi.
Ai, ndër të tjera, e ka quajtur Kurtin “çlirimtar” të serbëve, pasi sipas tij, flet vetëm për demokratizim të Serbisë e komunitetit serb, ndërsa populli i tij largohet nga vendi.
“Mos luaj, sot vetëm një qëllim e ke folur në fjalim, qëllimi m’i çliru komunitetin serb, çlirimtar i serbëve, të demokratizojë Serbinë, këqyri punët e tua, po të ikin njerëzit, ti po mban dertet e serbëve që jetojnë në Zubin Potok e Zveçan, nëse e ki qëllim me bo autonomi”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë bërë marrëveshje që t’i shtyjnë zgjedhjet dhe prapë e kanë sjellë Kosovën në këtë situatë.
“Ti edhe Vjosa Osmani jeni mbledhur të thoni hajde i shtyjmë zgjedhjet, i keni shtyrë zgjedhjet, e keni pasur qëllimin të merreni vesh me Vuçiqin, të u jepni kohë Listës Serbe të marrë kohën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Të ka mbetur në dorë situata, i ke fituar dy komuna qysh i ke fituar, qëllimi nuk ka qenë me tensionu situatën. Sot një javë, ti krye në veti e ke nisur një veprim aventuresk, as kryetarëve të komunave nuk u ke treguar se po i dërgon në komuna, është marre me u tut, është dashur të koordinoheni, do të jepnim mbështetje. Ti Mitrovicën e ke parë për herë të parë tash, për t’i mashtruar, vjen këtu na tregon reportazhe, shko arrestoji kriminelët, mos hajde më trego ku janë dhe si janë. Shko arrestoji. Nëse ti je duke e treguar të vërtetën, atëherë ndërkombëtarët pra janë duke gënjyer, e drejtë ndoshta është të shkojë në komuna, por a bën të më tregoni nëse kostoja është rrezikimi i raporteve me aleatët e Kosovës dhe ndëshkimet që tashmë të kanë filluar e munden të vazhdojnë”, ka vijuar Krasniqi.
Ndryshe, veriu u trazua nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.