Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti ka bërë të ditur se Kosova ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka publikuar shkresën e parë drejtuar Serbisë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës”, ka shkruar Hoti.
Ai ka bërë të ditur se Kosova ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, brigadë kjo e cila sipas tij ka kryer krime në regjion të Drenicës.
“Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar”, ka vijuar ai.
Ndryshe, më 2 maj në Bruksel në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq miratuan Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Deklarata parasheh disa angazhime për palët, që mund të çojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.