Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u bëri thirrje turqve që t’i lënë mënjanë ndasitë dhe të përqendrohen tek e ardhmja, ndërsa filloi mandatin e ri pesëvjeçar të shtunën.
Erdogan u betua në një ceremoni në Parlament në Ankara dhe do të emërojë në vazhdim kabinetin e ri qeveritar, përbërja e të cilit pritet të sinjalizojë një ndryshim të mundshëm të drejtimit të politikave ekonomike, përfshirë dhënien fund të epokës me norma të ulëta interesi. Në ceremoninë e inaugurimit në pallatin presidencial, Erdogan përdori tone pajtuese.
“Do t’i përqafojmë të gjithë, 85 milionë njerëzit, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike… Le ta lëmë mënjanë mërinë e periudhës elektorale. Le t’i kërkojmë mënyrat për të bashkëjetuar”, tha ai. “Së bashku duhet të shohim përpara, të përqendrohemi tek e ardhmja dhe të përpiqemi të themi gjëra të reja. Duhet të përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen duke mësuar nga gabimet e së shkuarës”.
Në ceremoni merrnin pjesë zyrtarë të lartë të vendeve të ndryshme dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, kryeministrin hungarez, Viktor Orban dhe kryeministrin armen, Nikol Pashinyan.
Më herët, ndërsa bëri betimin në detyrë, Erdogan u zotua të mbrojë pavarësinë dhe integritetin e Turqisë. Ai fitoi 52.2 për qind të mbështetjes në balotazhin e 28 majit. /VoA