Në lidhje me situatën në veri, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti ka thënë se aktivitetet e gabuara politike kanë prodhuar veprime zinxhirore të gabueshme vazhdimisht, duke përmendur kështu fillimisht tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, pastaj refuzimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje dhe pastaj situatën aktuale.
Ai në emisionin “FIVE” ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hyrë në zinxhir të veprimeve të gabueshme kështu duke përmendur fillimisht targat e pastaj veprimet e tjera.
“Aktivitetet e gabuara politike kanë prodhuar veprime zinxhirore të gabueshme vazhdimisht, kemi refuzimin e serbëve të marrin pjesë në institucionet e Kosovës, pastaj refuzimin e zgjedhjeve dhe tash këtë situatë”, ka thënë Pajaziti.
Sipas tij, Kurti në këtë proces është i vetëm pasi sipas tij nuk pyet njeri të gjallë.
Ai ndër të tjera ka thënë se skenat e dhunës në veri nuk janë skena që i duheshin Kosovës.
“Skenat, rrethanat e dhunës që i pamë atje janë skena që nuk i duheshin Kosovës, qytetarëve, njerëzve që jetojnë atje, as atyre që na kanë mbështetur e na mbështesin”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë se PDK-ja ka arritur të instalojë institucionet në veri dhe se kjo parti gjithmonë ka mbështetur edhe qeverinë aktuale për vendosjen e sundimit të ligjit në terren.
“Vazhdimisht kemi sugjeruar që të ketë koordinim sa më të mirë me partnerët ndërkombëtarë”.
Ndërsa në pyetjen se a do të marrë pjesë PDK-ja në zgjedhje të jashtëzakonshme, Pajaziti ka thënë se PDK-ja ka marrë pjesë në zgjedhje dhe se kryetarët janë duke kryer detyrat e tyre.
“Nuk është në dorën tonë të bëjmë veprime të tilla. I kemi mbështetur me pjesëmarrje në zgjedhje. Kryetarët janë duke i kryer detyrat në rrethana të cilat janë krijuar”.