“T’du qashtu qysh je!” është motoja e Javës së Krenarisë këtë vit në Kosovë, që nisi më 5 qershor dhe do të vazhdojë me aktivitete të ndryshme për promovimin e barazisë dhe fuqizimin e komunitetit LGBTI+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në Kosovë.
“Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionalem janë më se të nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor”, thuhet në uebfaqen e përbashkët të organizatorëve të Javës së Krenarisë, Prishtina Pride, shkruan REL.
Në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë po marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Barazi dhe Liri (CEL), Blert Morina, dhe përfaqësues të ambasadave të huaja.
Osmani tha se megjithëse Kosova ka bërë përparime të shumta ndër vite në promovimin e barazisë për personat e komunitetit LGBTI+, mbetet “ende shumë e shumë punë për të bërë”.
“Personat LGBTI+ janë padiskutim ende shënjestër e dhunës, diskriminimit dhe stigmatizimit, që vazhdojnë të mbesin pengesë për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët – ndërtimin e një shoqërie më të barabartë për të gjithë”, tha Osmani.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që motoja dhe eventet e Javës së Krenarisë kanë në qendër temën e dashurisë, duke e quajtur atë si “kusht të lirisë”.
“Në fillimin e javës së Krenarisë kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale”, ka thënë kryeministri Kurti.
Java e Krenarisë do të mbyllet më 10 qershor me Paradën e Krenarisë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë në orën 17:00 dhe me koncertin përmbyllës “Krejt bashkë!” në Pallatin e Rinisë në orën 19:00.
Gjatë javës, në Prishtinë do të organizohen diskutime, shfaqje artistike, festa, konferenca për ta shënuar këtë javë.
Përveç CEL-it, organizatë të Javës së Krenarisë janë edhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Mbrojtësit e të Drejtave Civile (CRD).
Parada e Krenarisë do të mbahet për herë të shtatë në Prishtinë. Në vitet paraprake, ky organizim kishte kaluar pa incidente.
Në paradat e kaluara, aktivistët kanë bërë vazhdimisht thirrje që të lejohet martesa midis personave me gjini të njëjtë – gjë të cilën në Kosovë e lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për Familjen.
REL ka raportuar gjatë vitit 2022 se si frika nga izolimi nga familja dhe shoqëria i detyron ende shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë të mos shprehen publikisht për identitetin e tyre.