Tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ishin qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në Dialog.
Pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit, Lajçak ka njoftuar se gjatë takimit është prezantuar një propozim me tri elemente.
“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente”, tha Lajçaku.
Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.
“Ishte një bisedë e gjatë, ishim të hapur në shkëmbim të ideve, koncepteve dhe shpresojmë të shpallim lajme të mira në fund të procesit. Sa i përket kryetarëve të komunave në veri, legaliteti nuk do të thotë përfaqësim dhe ky është problemi që e kemi për momentin, është në interes të të gjithëve që të kemi kryetarë të komunave që të kenë ligjshmëri dhe përfaqësim. Është përmendur në deklaratën e BE-së 27, është një dokument me peshë, serioz dhe mund të them se shtetet anëtare po presin që të shkojmë t’u raportojmë”.
Sa i përket zgjedhjeve të reja, Lajçak theksoi se respektojnë autoritetin e Qeverisë së Kosovës, strukturën kushtetuese të Kosovës dhe nuk ka votim të detyrueshëm në këtë shtet.
Por sipas tij, një gjë është e qartë “që duhet të respektohet sundimi i ligjit dhe harmonia në mes grupeve etnike prandaj po mundohemi të gjejmë një rrugë përpara”.
Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.
“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.
“Realiteti është ky se kjo është një çështje ne mes të Kosovës dhe Serbisë, është një çështje e politikës së brendshme dhe raportit në mes të shumicë dhe pakicës”.
“Jam një mbështetës i madh i Kosovës, dua më të mirën e Kosovës, duam që Kosova të arrijë çdo aspiratë, jemi mbështetës të pavarësisë, sovranitetit, krejt çka duam është unitet”.
Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në “fillim të misionit të tyre”, që do të zgjasë dy ditë.