Një person është arrestuar pasi, i njëjti, ka sulmuar dy zyrtarë policorë në Kaçanik, të hënën e nëntë majit.
Sipas një komunikate për media, Policia e Kosovës ka raportuar se ,i njëjti person, dy muaj më parë ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.
“Policia në Kaçanik nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, sot rreth orës 15:20, në rrugë, në fshatin Biçec të Kaçanikut, kanë identifikuar dhe arrestuar personin e kërkuar me inicialet N.H ( M/K) i moshës 33 vjeçare, i cili dy muaj më parë ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dy zyrtarët policorë të sulmuar kanë pranuar trajtimin mjekësor, pasi i dyshuari në përpjekje për të ikur u kishte shkaktuar lëndime trupore.
“Gjatë arrestimit të tij, në përpjekje për të ikur, i dyshuari ka sulmuar dy zyrtarët policorë, duke u shkaktuar lëndime trupore, të cilët më pas kanë pranuar tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Tretman mjekësor ka pranuar edhe i dyshuari”, vijon njoftimi.
I njëjti, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin policor tê Kaçanik dhe pas intervistimit nga policët hetues të Sektorit Rajonal të Hetimeve, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”.
Ndryshe, më shtatë mars të vitit 2022, i njëjti, ishte arratisur nga Qendra Koorektuese në Smrekonicë.
“Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar që ka qenë duke e vuajtur dënimin, është arratisur nga Qendra Korrektuese e burgut në Smrekonicë. Njësitë policore janë në kërkim të të dyshuarit”, thuhej në raport.