Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Lumir Abdixhku, pas takimit me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se situata aktuale në Kosovë është shqetësuese dhe e paqartë për shkak të raportit në mes të Qeverisë së Kosovës me aleatët e saj.
“Po futemi në një situatë bukur shqetësuese për Republikën e Kosovës dhe, për më tepër, të paqartë”.
“Shqetësuese, për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj”, ka thënë Abdixhiku.
Më tej, kreu i LDK-së ka treguar se pse situata është e paqartë.
“Mungesë të planit dhe të gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës [Albin Kurtit] për dakordim me aleatët e Kosovës”.
“Në këtë fazë të Kosovës, Republikës tonë, qytetarëve tanë i mbetet t’i shohin edhe pasojat që mund të vijnë nga një relacion i tillë. Në radhë të parë nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe NATO”, ka shtuar ai.
Abdixhiku ka përfunduar se LDK-ja e ka shumë të vështirë ta pranojë një raport të tillë ku Qeveria e Kosovës nuk ka relacion të mirë me aleatët e Kosovës.