Ende pa u bërë dy muaj nga procesi i 23 prillit, zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës kanë filluar të diskutohen në nivelet e larta shtetërore.
Nëse kjo do të ndodhë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Kosovapress se KQZ-ja është e gatshme për të kryer detyrat e veta që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Elezi.
I pyetur për mundësinë që në këto zgjedhje eventuale Misioni i OSBE-së në Kosovë të marrë rol ndihmues për KQZ-në, Elezi ka thënë se ky institucion nuk i komenton zhvillimet politike.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i komenton zhvillimet politike. KQZ-ja ka dëshmuar se është institucion i cili përmbushë detyrat kushtetuese. Prej disa proceseve zgjedhore, që nga viti 2020, KQZ-ja, si institucion i vetëm, ka realizuar me sukses detyrat edhe në këto katër komuna. Andaj, si KQZ, ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, shprehim gatishmërinë për të kryer detyrat tona”, ka vijuar Elezi.
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në zgjedhjet e mëhershme ka lehtësuar dhe ndihmuar KQZ-në në organizimin e zgjedhjeve në katër komunat e veriut të Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, është takuar me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për situatën në veri dhe zgjedhjet atje. Davenport tha se OSBE-ja do të ndihmojë Komisionin Qendror Zgjedhor.
“Me Miroslav Lajçak sot u theksua rëndësia e progresit në dialogun e lehtësuar nga BE dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjitha komuniteteve në institucione dhe zgjedhje. OSBE në Kosovë qëndron fuqishëm përkrah KFOR-it dhe EULEX-it në përmbushjen e mandateve tona përkatëse në Kosovë. Mbështetje e fortë për thirrjen e BE-së për depërshkallëzimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse në komunat veriore. OSBE do të ndihmojë institucionet e Kosovës, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për të ofruar integrim dhe dialog duke përfshirë të gjitha komunitetet”, ka shkruar ai në Twitter./KP