Ukraina e ka akuzuar Rusinë se e ka sulmuar një digë të madhe në lumin Dnjepër në rajonin e Hersonit të pushtuar nga Rusia.
Pas këtij sulmi, Ukraina ka urdhëruar evakuimin e dhjetëra mijëra banorëve nga ajo zonë, shkaku i rrezikut për përmbytje masive.
Brenda pak orësh, niveli i ujit ishte rritur në disa zona për 10 deri në 12 metra, thanë autoritet ukrainase.
Ushtria ukrainase tha se Rusia e sulmoi këtë digë, me qëllim për ta parandaluar kalimin e forcave ruse në lumin Dnjepër.
“Ky është një reagim histerik. Ata ishin të vetëdijshëm që kalimi i forcave të mbrojtjes [ukrainase] do të ndodhte dhe tentuan në këtë mënyrë të ndikojë te forcat e mbrojtjes ashtu që kalimi i Dnjeprit, të cilit iu frikësuan, nuk do të ndodhte”, tha zëdhënësi i komandës ushtarake në Ukrainën jugore.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e thirri një takim emergjent të Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes për ta diskutuar gjendjen në këtë zonë.
“Terroristët rusë”, shkroi Zelensky në Twitter, duke shtuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të përjashtohen nga çdo qoshe e tokës ukrainase”.
Russian terrorists. The destruction of the Kakhovka hydroelectric power plant dam only confirms for the whole world that they must be expelled from every corner of Ukrainian land. Not a single meter should be left to them, because they use every meter for terror. It’s only… pic.twitter.com/ErBog1gRhH
— Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) June 6, 2023
“Terroristët nuk do të jenë në gjendje ta ndalin Ukrainën me ujë, raketa apo çfarëdo tjetër”, shtoi Zelensky.
Rusia e ka mohuar përfshirjen në këtë sulm dhe e ka fajësuar Ukrainën.
“Ky krim është një akt terrorist i drejtuar kah civilët. Ukrainasit e bënë”, tha Vladimir Leontyev, kryetar i emëruar nga Rusia i Nova Kahovkës.
Agjencia ukrainase e energjisë nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës Nova Kahovka mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë.