Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për “mungesën e deklaratave në situatë krizash” dhe përjashtimin e Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në rajon, “Defender 23” e udhëhequr nga ShBA-ja.
Krasniqi ka theksuar se zgjidhjet për situatën e vështirë janë në dorë të Qeverisë së Kosovës dhe se në dy vitet e fundit, vendi ka përjetuar vetëm probleme dhe kriza të shkaktuara nga kryeministri, mbështetur edhe nga presidentja.
“Zgjidhjet e situatës janë te Qeveria e Kosovës. Në këto dy vite kemi vetëm probleme të shkaktuara. Populli i ka zgjedh këta njerëz për me qeverisë, fatkeqësisht në këto dy vite kemi vetëm probleme dhe kriza të shkaktuara nga kryeministri mbështetur edhe nga presidentja”, ka thënë ai para mediave.
Ai ka thënë se presidentja Osmani ka përgjegjësi për të reaguar dhe komunikuar me publikun në kohë krizash. Duke theksuar se presidentja njëkohësisht është komandante supreme e ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i vendit nga stërvitja ushtarake e rëndësishme në rajon, “Defender 23”, nuk mund të ketë këtë qasje injoruese.
“Është e paarsyeshme që presidentja të vazhdojë të heshtë, ka përgjegjësi, ajo njëkohësisht është edhe komandante supreme e ushtrisë së Kosovës dhe përjashtimi i Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në rajon e që udhëhiqet nga ShBA-ja nuk mund të merret me këtë qasje injoruese. Ajo duhet të flasë edhe për këtë përjashtim, edhe për shuarjen e ëndrrës së mbi 1 mijë të ushtarëve tanë që janë përgatitur më shumë se një vjet”, ka thënë ai, raporton Dukagjini.
Krasniqi ka kërkuar nga presidentja të flasë publikisht për të gjitha këto çështje, duke përfshirë edhe përjashtimin e ushtarëve të Kosovës nga stërvitja, si dhe situatën aktuale në vend.
“Komandantja supreme nuk ka thënë asgjë dhe, jo vetëm për këtë, por edhe për situatën e krizës duhet të kemi deklarim”, ka shtuar ai.
Delegacionet e BE-së dhe ShBA-së janë duke qëndruar në Prishtinë dhe Beograd për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në tri komunat veriore, serbët lokalë po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.