Përmes një postimi në Facebook, kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë të ditur për rritjen e eksporteve bujqësore dhe pajisjen e 19 mijë e 412 fermerëve me kartën e naftës.
Kartat e naftës kanë një sasi prej 4,138,198 litrash, të cilat do të jenë të shfrytëzueshme nga fermerët për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
“Mirmëngjes, dhe me lajmin e mirë se ndërkohë që kemi rritje të mëtejshme të eksporteve bujqësore, deri tani 19,412 fermerë janë pajisur me kartën e naftës baraz me një sasi prej 4,138,198 litrash, për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi në një proces që vijon me furnizim me Naftë Falas nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2023, ju uroj një ditë të mbarë” ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, ka bërë të ditur se sasinë e naftës së përcaktuar, fermerët mund ta tërheqin deri në datën 31 dhjetor 2023.
54 mijë fermerë kanë kërkuar që të punojnë tokën me naftën pa taksa, të gjithë fermerët e interesuar kanë pasur mundësi aplikimi nga data 20 mars deri më 11 prill 2023.