Prokurori publik ka njoftuar se të paktën 43 të burgosur janë vrarë në trazirat e fundit vdekjeprurëse në burgjet e Ekuadorit.
Një përleshje shpërtheu midis bandave rivale Los Lobos dhe R7 në një burg në Santo Domingo, rreth 80 km në lindje të kryeqytetit Quito.
Ekuadori po lufton me një valë dhune bandash, dhe kohët e fundit ka parë trazirat më vdekjeprurëse të burgjeve në histori të shtetit të tyre, raporton BBC.
Disa pjesë të Ekuadorit janë në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të krimit në rritje që ka tronditur vendin.
Një total prej 108 të burgosurish kanë ikur nga burgu gjatë trazirave të së martës, të cilët kanë mbetur të zhdukur, ka njoftuar shefi i policisë lokale.
Ndërkohë, 112 të burgosur të tjerë dolën por pas pak u kapën sërish, ka shtuar.
Dhjetë të tjerë u plagosën në trazira, por numri i saktë është ende i paqartë.
Gazeta ekuadoriane El Universo raportoi se, sipas komandantit të Policisë Kombëtare, Fausto Salinas, incidenti u shkaktua nga një përleshje që përfshinte transferimin e një të burgosuri të njohur si Anchundia në burg. Ai kishte qenë një nga drejtuesit që kishte shkaktuar një trazirë të mëparshme në burg në muajin prill.
Fotot nga jashtë burgut tregojnë të burgosurit e gjakosur duke u transportuar nga kamionët në ambulanca.
Ndërsa lajmet për trazirat u përhapën në të gjithë komunitetin, shumë të afërm u mblodhën jashtë objektit, të shqetësuar dhe të dëshpëruar për të mësuar se cfarë po ndodh.
Presidenti Guillermo Lasso dërgoi ngushëllimet e tij për familjet e atyre që vdiqën dhe tha se ishte “rezultat fatkeq i dhunës së bandave”.
Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, Patricio Carrillo, shkroi në Twitter se qeveria po punon “për të kapërcyer problemet e sistemit të burgjeve, por është komplekse të gjesh zgjidhje të shpejta në një mjedis… dhune”.
Muajin e kaluar një gjendje e jashtëzakonshme 60-ditore u shpall në tri provinca perëndimore – Guayas, Manabí dhe Esmeraldas – si kundërpërgjigje ndaj dhunës.
Presidenti Lasso, i cili mori detyrën në maj të vitit të kaluar, ka fajësuar trafikun e drogës për problemet e krimit të Ekuadorit. Vendi i Andeve përdoret si një rrugë tranziti për kokainën e kontrabanduar nga Peruja dhe Kolumbia fqinje, dhe kartelet e fuqishme meksikane të drogës thuhet se veprojnë përmes bandave lokale.
Ai ka premtuar të forcojë forcën e policisë dhe të falë të burgosurit që janë dënuar për krime të lehta për të lehtësuar mbipopullimin në burgje, por kritikët thonë se ai ka humbur kontrollin e situatës.