Ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës, Nenad Rashiq, ka votuar kundër propozim-vendimit “për themelimin e Grupit Punues për hartimin e Konceptimit për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës”.
Rashiq nuk është pajtuar që për krime të luftës në Kosovë të fajësohet Serbia apo i tërë populli serb dhe për këtë është pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Mendoj se në një mënyrë kategorizimi apo përgjithësimi i një vendi[Serbisë] për krimet nuk është adekuat. E mbi të gjitha, kur përmendet çështja e brezave të ardhshëm, mendoj se nuk duhet të bëjmë një kategorizim të tillë, duke e bërë një shtet të tërë kriminal”, ka thënë ai.
“Sigurisht se pajtohem që të tregohet pjesa që duhet, në mënyrë që të mos ndodhin më krime të tilla, e përgjegjësit të përballen me drejtësi. Por, përgjithësimi i krimeve dhe adresimi i fajit te një shtet i tërë[Serbia] nuk mendoj se duhet të bëhet”, ka thënë Rashiq në mbledhje të Qeverisë, duke bërë thirrje që të përmirësohet teksti.
Më këtë deklaratë të Rashiqit është pajtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se pajtohet me atë qe e ka thënë ministri Rashq.
Ai ka thënë se “edhe pse nuk e kam parë dokumentin e plotë, mendoj që nuk duhet të ketë gjeneralizim edhe nuk duhet të fajësohet një popull i tërë për krimet e individëve”.