Profesori nga Westminster University dhe drejtori i Programit të Sigurisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Aidan Hehir, ka ngritur pyetjen se kë duhet ta mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. -Kosovën apo Serbinë?
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Hehir ka dhënë disa fakte që lënë të nënkuptohet se ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta mbështesin Kosovën.
Pasi sipas indeksit të korrupsionit nga “Transparency Internatinal”, Kosova ka shënuar rritje që kur hyri në pushtet Vetëvendosja në vitin 2020. Ndërsa, Serbia ka shënuar rënie që kur ish-partia (Partia Progresive Serbe) e presidentit serb, Aleksandër Vuçiqi, ka marrë pushtetin në vitin 2012.
Edhe sipas “Reporters without Borders”, Kosova sa i përket lirisë së shtypit ka shënuar rritje që kur VV-ja mori pushtetin në vitin 2020. Ndërsa, Serbia ka shënuar rënie.
Gjithashtu, Kosova, sa i përket gjendjes së të drejtave politike dhe lirive civile, ka shënuar rritje në vitin 2023 në krahasim me vitin 2020, ndërsa Serbia ka shënuar rënie krahasuar me vitin 2017.