Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur simbol të suksesit të vendit, xhudisten Majlinda Kelmendi.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se në kuadër të programit “Kosova, Shtet i Xhudos”, të mërkurën ishte pjesëmarrës në aktivitetin demonstrues të kampiones sonë olimpike, Majlinda Kelmendi.
Sipas tij, në palestrën e qytetit të Mitrovicës “Minatori”, e cila ishte mbushur përplot me nxënës entuziastë për të takuar Majlindën, ajo së bashku me xhudistë të tjerë demonstruan teknika profesionale të sportit të xhudos.
“Majlinda Kelmendi është simbol i suksesit në Republikën e Kosovës. Qëndrueshmëria ndaj vështirësive, përkushtimi për triumf, dhe modestia e saj ndaj suksesit – janë tri virtyte të Majlindës të cilat e bëjnë atë: kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë”, shkroi Kurti.
“Kosova është shtet i xhudos”, shtoi më tej ai.
Sipas kreut të ekzekutivit, përmes programit të xhudos, përveç që po sigurohet zhvillimi i sportit në vend, “njëkohësisht po krijojmë mundësi për të rinjtë tanë që të shprehin talentin e tyre, të jenë aktiv dhe të shëndetshëm si dhe të jenë të suksesshëm”.
“Uroj që shumë të tjerë të ndjekin rrugën e suksesit të Majlindës, Norës dhe Distrias”.