Ndonëse vendet perëndimore kanë zgjeruar sanksionet kundër Moskës, Rusia nuk e ka në plan të mbyllë ambasadat e saj në Evropë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, bashkë me udhëheqësit të vendeve të G7-ës, janë takuar virtualisht me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën, me të cilin kanë diskutuar veprimet e mëtejshme që SHBA-ja dhe aleatët e saj po ndërmarrin kundër Rusisë.
“Kjo nuk është në traditën tonë”, ka thënë zëvendësministri i jashtëm, Alexander Grushko, për agjencinë e lajmeve RIA.
“Ne gjithashtu besojmë se puna e diplomatëve është e rëndësishme”, ka shtuar ai.
Vendet perëndimore kanë vendosur një sërë masash ndëshkuese, duke përfshirë sanksionimin e zyrtarëve kryesorë rusë, ngrirjen e aseteve të bankës qendrore ruse dhe ndalimin e importeve të naftës ruse, për ta shtyrë Moskën të përfundojë ofensivën e saj ushtarake në Ukrainë, shkruan BBC.
Të hënën e nëntë majit, ambasadori i Rusisë në Poloni është goditur me ngjyrë të kuqe nga njerëzit që protestonin kundër luftës.
Ai u pengua të vendoste lule në një varrezë sovjetike në Varshavë për të përkujtuar 77-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Ndërkaq, sanksionet e reja që SHBA po ndërmerr kundër Rusisë, do të ndërpresin mediat e kontrolluara nga Kremlini nga reklamuesit amerikanë dhe teknologjia e prodhimit, do të ndalojnë Rusinë të përdorë shërbimet e ofruara nga SHBA-ja si menaxhmenti ose konsulenca dhe kontabiliteti i korporatave, si dhe do të vendosin kontrolle të reja të eksportit kundër Rusisë.
Po ashtu, përfshihen rreth dy mijë e 600 kufizime të vizave për zyrtarët rusë dhe bjellorusë, dhe sanksionet e para kundër drejtuesve të Gazprombank – institucioni përmes të cilit shumica e Evropës blen gazin rus.