Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të dëgjojë partnerët ndërkombëtarë për të ndërmarrë hapa për të zbutur tensionet në veri.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Abbott ka kritikuar veprimet e kryetarëve komunalë në veri, duke thënë se ata nuk duhet të angazhohen në aktivitete të sigurisë dhe duhet të kryejnë detyrat e tyre në komunë.
Abbott ka thënë se ata duhet të punojnë në të mirën e qytetarëve të tyre dhe të kërkojnë më shumë bashkëpunim me agjencitë e sigurisë.
“Ne mbetemi të shqetësuar si të gjithë aleatët ndërkombëtarë të Kosovës për situatën në veri. Po vazhdojmë të kërkojmë shtensionim. Nuk besojmë se është e nevojshme që kryetarët të kryejnë detyrat nga objektet komunale. Nuk besojmë se është e nevojshme të luajnë rolin e rojeve para objekteve komunale. Kanë shumë punë më të mirë për të bërë diku tjetër. Shpresoj që ditët e ardhshme të shohim përparim, propozim, ndryshim, më tepër bashkëpunim mes agjencive të sigurisë.”, ka thënë Abbott të enjten.
Po ashtu, ai ka vlerësuar se nuk është e nevojshme që Policia e Kosovës të luajë rolin e rojeve.
Ambasadori gjithashtu ka përmendur marrëdhëniet e mira të Kosovës me Shqipërinë dhe ka inkurajuar qeverinë kosovare të dëgjojë këshillat dhe të tregojë mirëkuptim për interesat e miqve të tyre.
Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë çështje të rëndësishme me qeverinë shqiptare gjatë takimit të ardhshëm.