Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, beson se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka arsye të fortë pasi e propozoi një draft-statut, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ua dorëzoi Kancelarit gjerman Olaff Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Pacolli në “Five”, tha se Rama gjithmonë është interesuar që të gjejë zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Po ashtu, ai theksoi se në shumicën e rasteve propozimet e kryeministrit Rama kishin qenë të duhura, teksa shtoi se beson se propozimin e fundit e ka bërë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Besoj që Edi Rama, ka pasur një arsye të fortë të dalë me një deklaratë të tillë, të thotë që pa u konsultuar me askënd ka përgatitur një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, më ka befasu shumë, duhet të shikohet cila është arsyeja. Rama gjithmonë ka qenë i interesuar për një zgjidhje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, është angazhuar kudo. Në cdo takim që kemi pas aty ka qenë Edi Rama, pikë kryesore të diskursit e ka pasur Kosovën, zgjidhjen e problemit të Kosovës
“Ai gjithmonë ka pasur kritika ndaj punës apo udhëheqësve të Kosovës, shumicën e rasteve me arsye, ndonjëherë pa arsye. Por në fund të fundit pothuajse gjithmonë ka pasur të drejtë. Për këtë të fundit nuk mund të përgjigjem çka e nxiti mu tani të del me një propozim të tillë. Besoj që ai mund të jetë në lidhje me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë ai.