Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë dhe Doganën e Kosovës, Inspektorë të Tregut dhe Agjencionin e e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), kanë realizuar një operacion të gjerë, ku janë kontrolluar lokacione të ndryshme në Prishtinë, Ferizaj dhe Prevallë, ku me ç’rast me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, pesë persona të dyshuar.
Ata dyshohen për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave”, “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë” dhe “Mashtrimi i blerësve” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se përmes rrugëve ilegale në rrugë malore kanë kontrabanduar mjaltë me origjinë nga vende të ndryshme, duke iu shmangur kontrolleve doganore dhe sanitare nga AUV.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit nga marsi i vitit 2023 e në vazhdimësi, edhe tani, përmes pikës kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, të pandehurit, kalojnë vijën kufitare duke bartur mallra dhe shmangin kontrollin doganor, ashtu që me mjete të ndryshme të transporti,t duke shfrytëzuar rrugët ilegale nëpër rrugë malore dhe rrugë të tjera kontrabandojnë mallra të emëruara si ‘mjaltë’ me origjinë nga vende të ndryshme, e cila futet në paketime të ndryshme dhe në kavanoz dhe këto mallra futen në Kosovë duke iu shmangur kontrollit doganor dhe kontrolleve sanitare nga AUV në lidhje me cilësinë e këtyre produkteve, me ç’ rast Doganës së Kosovës i shkaktojnë dëm të konsiderueshëm material, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale ‘Kontrabandimi i mallrave’ nga neni 311 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Këto produkte, sipas Prokurorisë, nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për konsum dhe përmbajnë substanca të dëmshme për shëndetin.
“Të njëjtit, gjatë periudhës kohore të lartcekur në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, mallin e kontrabanduar e vënë në qarkullim për shitje pa u bërë kontrolli i nevojshëm nga enti i autorizuar- AUV në Kosovë, duke e plasuar nëpër lokale të ndryshme nëpër Ferizaj dhe nëpër vende të tjera në Kosovë duke qenë të vetëdijshëm se mjalti i kontrabanduar nuk i plotëson kushtet e nevojshme për konsum dhe se përmban substanca të dëmshme për shëndetin dhe paraqet rrezik të madh për shëndetin e qytetarëve, të cilët e blenë këtë produkt, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale ‘Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë’ nga neni 261 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe, “në Ferizaj dhe në vende të ndryshme nëpër Kosovë, me dashje dhe me qëllim të mashtrimit të blerësve vënë në qarkullim prodhime me shenjën, në të cilën, janë të shënuara të dhëna, të cilat nuk i përgjigjen përmbajtjes, llojit, prejardhjes dhe kualitetit të produktit, me këtë ekziston dyshimi i arsyeshëm që secili veç e veç ka kryer veprën penale “Mashtrimi i blerësve” nga neni 293 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.