Dera e xhamisë në fshatin Gaçkë të Ferizajt është punuar nga vëllai dhe nipi i ipeshkvit të Kosovës, mjeshtri Zef Gjergji dhe djali i tij Emanueli.
Lajmin e ka bërë të ditur Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) me anë të një postimi në Facebook. BIK-u ka shkruar se ky veprim tregon nivelin e lartë të harmonisë fetare që mbizotëron në vendin tonë.
“Dera e xhamisë në fshatin Gaçkë në Ferizaj është punuar në mënyrë të veçantë nga mjeshtri Zef Gjergji dhe djali i tij Emanueli të cilët njëkohësisht janë vëllai dhe nipi i Ipeshkvit të Kosovës. Dera e kësaj xhamie përveç së është punuar në mënyrë të shkëlqyer që do ta zbukurojë edhe më shumë këtë xhami, kjo punë veç tjerash tregon edhe nivelin e lartë të harmonisë fetare që mbizotëron në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se dera peshon rreth 700 kilogram, gjersa doreza e saj prej bronzi është punuar nga skulptori Agon Qosa.