Në revistën “THE ATHENAEUM” të vitit 1876 jepen detaje interesante për shqiptarët në Perandorinë Osmane

Një revistë e rrallë e vitit 1876 zbulon popullsinë e shqiptarëve në kohën e Perandorisë Osmane dhe nxjerr në pah vendin e tyre thelbësor në rajon. Ky botim sjell të dhëna të reja për numrin e shqiptarëve në atë periudhë historike dhe përshkruan shqiptarët e asaj kohe si ndër popujt kryesor të perandorisë

Foto ilustruese

Një botim i shekullit të 19-të tregon për popullsinë e shqiptarëve gjatë periudhës së Perandorisë Osmane dhe vendin e tyre në rajon, duke ofruar një perspektivë më të hollësishme mbi numrin dhe përhapjen e tyre në atë kohë.

Sipas revistës të titulluar “THE ATHENAEUM”, e botuar në vitin 1876, shqiptarët, të njohur edhe si arnautë, konsideroheshin një racë e shkëlqyer dhe luftarake.

Në numrin 2544 të 29 korrikut të vitit 1876, thuhet se ata [shqiptarët] ndodheshin në mes të Epirit dhe Malit të Zi dhe gradualisht kishin shtrirje në drejtim të veriut, duke marrë kontrollin mbi zonat ku jetojnë. Kjo kërcënonte t’i ndajë ata nga të afërmit e tyre bullgarë. Kjo mbase lë shumë hapësirë për të diskutuar se a bëhet fjalë për afërsi me popullin bullgar apo me shqiptarët që shtriheshin edhe në territorin e Bullgarisë.

Të dhënat nga ky botim tregojnë se popullsia shqiptare në atë kohë ishte më e madhe se sa ishte vlerësuar ndonjëherë.

“Shqiptarët: Popullsia më e shtrirë në Perandorinë Osmane”

Në faqen 152 të revistës thuhet se rreth 723 mijë shqiptarë ishin myslimanë, 200 mijë ishin katolikë romanë dhe 88 mijë i përkisnin Kishës Greke. Kjo tregon një laramani të rëndësishme sa i përket përhapjes fetare të shqiptarëve në atë periudhë.

Në total, sipas të dhënave në “THE ATHENAEUM”, shqiptarët kishin popullsi rreth 1 milion e 600 mijë, duke mos i llogaritur ata të cilët e ndienin vetën si otomanë, raporton Dukagjini.

Faqja 152 e botimit të titulluar “The Athenaeum” 1876.

Ndër të tjera, siç është shkruar në botim, popullsia myslimane në Perandorinë Osmane përbënte 42 për qind të popullsisë totale. Në Kostandinopojë dhe në Sanxhaqet e Sarajevës, Prizrenit, Dibrës, Beratit, Dramës, Rusçukut, Tulçës dhe Varnës, myslimanë ishin shumicë, ndërsa në 25 Sanxhakët e tjera, krishterët dominonin.

Tabela që është bërë në këtë shkrim të revistës jep edhe një vlerësim të popullsisë sipas kombësisë në kohën e Perandorisë Osmane. Sipas kësaj tabele, shqiptarët numëroheshin rreth 1 milion e 11 mijë, dhe ishin një prej kombësive më të mëdha në Perandorinë Osmane.

Përveç shqiptarëve, artikulli gjithashtu jep informacione për kombësitë e tjera që jetonin në territorin e Perandorisë Osmane. Turqit, si grupi kryesor, numëroheshin rreth 1 milion e 328 mijë, ndërsa grekët latinë ishin 1 milion e 137 mijë.

Në tabelë gjithashtu tregohet se në kuadër të popujve sllavë ishin serbët me 1 milion e 888 mijë dhe numri i bullgarëve ishte 2 milionë e 877 mijë, rusët ishin 10 mijë, armenët ishin 100 mijë, hebrenjtë ishin 70 mijë, çinganët ishin 104 mijë, çerkezët ishin 144 mijë, ndërsa arbëreshët ishin 2 mijë e 500.

Sa i përket numrit të shqiptarëve në këtë kohë, një botim i vitit 1878 me titullin “La Turquie d’Europe” (“Turqia e Europës”) nga Léon Lamouche, një publicist francez, i cili bazohet në burime të ndryshme të asaj kohe, përfshin një vlerësim të numrit të popullsisë shqiptare. Sipas këtij botimi, numri i shqiptarëve në këtë kohë ishte vlerësuar të jetë rreth 1 milion e 300 mijë.

Popullsia shqiptare në këtë kohë ishte vendosur kryesisht në territorin e sotëm të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, pjesë të Greqisë dhe vise të tjera të Ballkanit. Disa fshatra shqiptare gjithashtu ekzistonin në territorin e sotëm të Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Megjithëse Perandoria Osmane qe një fuqi e madhe dhe e suksesshme, ajo u ballafaqua me sfida dhe rënien e saj gjatë shekullit 19-të (XIX) dhe fillimit të shekullit 20-të (XX).

Pas Luftës së Parë Botërore, perandoria u shndërrua në një shtet të shënuar nga trazirat politike dhe territoriale dhe në vitin 1922 u shpërbë.

Një nga momentet më të rëndësishme në historinë e Perandorisë Osmane ishte kapja e qytetit të Konstantinopojës në vitin 1453 nga sulltan Mehmet II, i cili e shndërroi atë në kryeqytetin e tij dhe e riemëroi Stamboll. Kjo ngjarje shënon fundin e Perandorisë Bizantine dhe fillimin e një periudhe të re historike.

*Studiuesi Bejtullah Destani ka siguruar për Portalin Dukagjini artikullin e plotë të kësaj reviste.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika