Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar Ditën e Çlirimit të Prishtinës.
Krasniqi ka thënë se “betimi i burrave të kombit”, më 10 qershor 1878 në Prizren, është shndërruar “në amanet që do të përcillet brez pas brezi, për t’u përmbushur saktësisht 112 vite më vonë – në Prishtinë”.
“Më 10 qershor 1999, Serbia gjunjëzohet! Më 11 qershor 1999, Prishtina çlirohet! Më 12 qershor 1999 liria vjen në Kosovë! 112 vite sakrificë, dhembje, luftë e përpjekje për liri – pa humbur asnjëherë fokusin nga qëllimi final – çlirimi dhe pavarësia e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
I pari i PDK-së ka nderuar luftëtarët, veprimtarët, intelektualët dhe martirët ndër breza, “të cilët, u bën urë e dritë” për këtë ditë.
“Sot përulemi para vetëmohimit të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, posaçërisht dëshmorëve, të cilët besuan në idealin e luftës së tyre, edhe atëherë kur pak kush kishte më shpresa. Sot, është obligimi ynë, si shtet e popull, që duke kujtuar e nderuar të kaluarën, të ndërtojmë një vend të zhvilluar – ku secili mund të projektojë një të ardhme të dinjitetshme e prosperuese”, ka shtuar tutje Krasniqi.