I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka dhënë detaje në lidhje me vizitat e tij gjatë javës së kaluar, në Kosovë dhe Serbi, ku së bashku me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, takuan krerët e institucioneve të dy shteteve.
Përmes një postimi në Facebook, Lajçak ritheksoi nevojën për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.
“Pas disa ditësh në rrugë, jam kthyer në Brukselin me diell. Këtë javë vizitova Prishtinën dhe Beogradin, së bashku me zëvendësndihmëssekretarin e SHBA-së dhe të dërguarin e Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar. Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës, të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, ka shkruar Lajçak.
Ai bëri të ditur se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin, bisedimet ishin të gjata dhe se ua ka përcjellë atyre shqetësimet e BE-së.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë, duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim”, ka thënë ai.
Tutje, Lajcak tha se bashkë me Escobarin kanë shpresuar për rezultate më të mira, por një gjë e tillë, sipas tij, nuk ndodhi.
“DAS Escobar dhe unë kemi shpresuar për më shumë si rezultat i misionit tonë, por fatkeqësisht, pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta. Kështu, pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Evropa dhe SHBA, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm”, ka thënë ai.
Emisarët specialë u takuan edhe me opozitën në Kosovës, si dhe me Listën Serbe, me të cilët, po ashtu, diskutuan për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.