Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, publikisht ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbë në ShBA, Gjermani dhe Francë.
Ai kishte thënë se për këtë draft kishin punuar ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, në mesin e tyre edhe amerikanë.
Gjermania e ka konfirmuar se e ka marrë dokumentin e Ramës. Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, është theksuar se nuk mund të japin detaje për përmbajtjen e dokumentit, pasi është konfidencial.
“Ne mund të konfirmojmë marrjen e një dokumenti të tillë në Kancelari. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj se ne nuk mund të komentojmë përmbajtjen e tij konfidenciale”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane.
Ky propozim i Ramës nuk ka gjetur mbështetje nga krerët e institucioneve të Kosovës.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca kishte deklaruar se nuk e di çfarë përmban ai draft, por që sipas tij, njëherë është dashur të diskutohej me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e pastaj të shihen hapat e tjerë.