Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se dështimi i agjendës parlamentare është jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës.
Kjo pasi mbledhja e kryesisë së Kuvendit, e paraparë të mbahej sot nga ora 13:00, dështoi në mungesë të kuorumit.
“Sa i përket mbledhjes së kryesisë, nuk ishte kryetari, përfaqësuesit e mazhorancës, ishte një dështim i radhës, nuk po arrin ta ketë numrin as në kryesi, as në seancat që kanë dështuar që një kohë të gjatë. Dështimi i agjendës parlamentare është jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se ani pse opozita ka luajtur një rol konstruktiv në mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, shumë seanca po dështojnë.
“Ne si opozitë kemi luajtur një rol konstruktiv, javën e kaluar përmbyllëm një çështje të rëndësishme, reformën zgjedhore, ai proces pa angazhimin tonë nuk do të arrihej të përmbyllej”, ka vijuar Tahiri.