Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka uruar qytetarët për 24-vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Ambasada britanike ka theksuar rëndësinë historike të datës së 12 qershorit 1999, kur trupat britanike hyrën në Kosovë si pjesë e forcave të KFOR-it.
“Sot shënojmë përvjetorin e hyrjes së trupave të para britanike në Kosovë, si pjesë e KFOR-it, më 12 qershor 1999. Është një ditë emocionale për shumë kolegë tanë të Ushtrisë Britanike, të cilët nuk do ta harrojnë kurrë atë ditë dhe pritjen që iu bë”, thuhet në reagimin e tyre.
Ambasada gjithashtu ka theksuar zhvillimin e madh që Kosova ka arritur në 24 vitet e fundit dhe partneritetin e fortë mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës gjatë kësaj periudhe.
Këtë të hënë janë bërë 24 vjet prej kur në Kosovë ishin vendosur 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore të Serbisë.
Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë, të cilët një ditë më parë “befasisht” kishin marrë Aeroportin e Prishtinës, me qëllim ndarjen e Kosovës.
Hyrja e ushtarëve të NATO-s u hapi rrugë mbi një milion shqiptarëve të Kosovës, refugjatë të zhvendosur në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës, që të kthehen në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre.