Koha e zymtë e moti me shi nuk janë e vetmja arsye që Selvete Avdyli mërzitet kur hapë derën e ballkonit e kthen sytë kah pjesa tjetër e qytetit.
“Kur dal këtu gjithë andej më shkojnë syt prej shpisë që e kam pasë”, ka thënë Avdyli, ish-banore e Kroit të Vitakut.
Rrobat e nusërisë, stolitë e arit, gjithçka kishte shitur për të ndërtuar shtëpinë.
Më 1984 bashkë me burrin nisën jetën në shtëpinë e re në Kroin e Vitakut, tash pjesë e Mitrovicës së Veriut.
Nisja e bombardimeve të NATO-s ishte kthyer në ankth për banorët e kësaj zone, në shenjë hakmarrjeje, njerëz të armatosur e të paftuar nisën dhunën dhe shpërngulën banorët.
“Ehhh… më 12 qershor jemi kanë në shtëpi të babës në Shipol. Aty kemi prit që po bëhet mirë, hajt u çliru Kosova u gëzuam të gjithë që me u kthy secili në pronën e vet, e djegun e kallnë sido që të jetë e ki pronën tane”, ka vijuar Avdyli.
“Boll vështirë ish që nuk mundesh me shku më në të, me e pa gërmadhën vështirë ish por çka me bo. Vall boll vështirë, sa herë që dal në këtë ballkon këtu, kjo banesë pak na ka nxon, se sa herë që dal këtu, normal që boll mërzitna”.
Barra e qirasë për pensionisten Avdyli e ka mundur dashurinë që një ditë të kthehet në pragun e shtëpisë në të cilën qe 24 vjet ka qenë vetëm një herë.
“Vallahi mu ka zatetë edhe mu shpirti me më ardhë oferta vallahi e më nuk shpallna trimneshë as kurgjo, se qe 24 vite u bënë askush nuk të ndihmon asgjë e unë me shit trimni e me nejt me qira valla më jo”.
Në pamundësi për t’i rindërtuar shtëpitë për shkak të pengesave administrative dhe sulmeve nga persona të panjohur, besohet se në Mitrovicë të Jugut dhe nëpër qytete të Kosovës jetojnë qindra familje.
“Ne si zyre nuk kemi shënime të sakta, nuk kemi shënime, dhe nuk mundem me ju dhën shënime të sakta, mirë po e di që në vitet e mëparshme në Qeveritë e mëparshme në emër të qirasë disa familjeve iu është ndihmuar, nëse nuk e kam harruar mbi 380 familjeve”, ka thënë Bedri Sadiku, Koordinator në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim
Sipas Sadikut në Kroin e Vitakut dhe në lagje tjera nuk mund të veprojnë, pasi që këtë punë do të duhej ta kryente zyra për komunitete e Mitrovicës së Veriut, por që nuk egziston aktualisht.
Nedzat Ugljanin, Kryesuesi i Kuvendit në Mitrovicë të Veriut në javën e kaluar për RTV Dukagjini ka deklaruar se shumë shpejtë krijimin e Zyrës për Komunitete.
Mbi 12 mijë shqiptarë që jetonin në pjesën veriore ndërmjet vitit 99, dhe muajit shkurt 2000, janë dëbuar nga banesat dhe shtëpitë e tyre, shumica tash të uzurpuara.