Vëzhguesit ndërkombëtarë: Zgjedhjet në Mal të Zi të lira dhe konkurruese, por reforma zgjedhore e nevojshme

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Malit të Zi ishin konkurruese dhe votuesve iu ofrua një gamë e gjerë alternativash, por procesi u dobësua nga mangësitë legjislative, vlerësoi të hënën Misioni vëzhgues ndërkombëtar

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Malit të Zi ishin konkurruese dhe votuesve iu ofrua një gamë e gjerë alternativash, por procesi u dobësua nga mangësitë legjislative, si dhe nga retorika përçarëse e fushatës dhe një mjedis i polarizuar mediatik, vlerësoi të hënën Misioni vëzhgues ndërkombëtar në një konferencë në Podgoricë.

Misioni i përbashkët vëzhgues nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) dhe Parlamenti Evropian (PE) arriti në përfundimin se zgjedhjet u menaxhuan mirë dhe se kuadri ligjor ofron një bazë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, pavarësisht nga një sërë mangësish dhe mospërputhjesh, duke lënë të paplotësuara shumicën e rekomandimeve të mëparshme.

“Votuesit kishin një sërë alternativash nga të cilat të zgjidhnin në zgjedhjet e djeshme dhe liritë themelore u respektuan gjatë gjithë fushatës,” tha Nina Suomalainen, kryetarja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të ODIHR, shkruan VOA.

“Por në vazhdim, ka një nevojë të qartë për reformën zgjedhore për të mbyllur mangësitë dhe paqartësitë e mbetura dhe për të forcuar sistemin për zgjedhjet e ardhshme,” tha Suomalainen.

Zgjedhjet u zhvilluan në sfondin e një krize të gjatë institucionale dhe kushtetuese. Pasiguria ligjore dhe politike mbi datën e zgjedhjeve kontribuoi në fillimin e vakët të fushatës, ritmi i së cilës u rrit vetëm dy javë para ditës së votimit, vlerësojnë vëzhguesit.

Gjatë fushatës, disa kandidatë përdoren retorikë populiste dhe përçarëse, shpesh mbi baza kombëtare dhe fetare. Ndërkohë që përdorimi i burimeve publike është i ndaluar me ligj gjatë fushatës, në periudhën zgjedhore janë lëshuar kontrata të shumta publike të punës.

Mungonte gjithashtu një dallim i qartë midis rolit të disa kandidatëve që janë gjithashtu zyrtarë të lartë, përfshirë edhe në aktivitetet e tyre në mediat sociale, thuhet në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

“Me 15 lista kandidatësh, zgjedhjet ishin konkurruese dhe të gjithë kandidatët gëzonin mundësi të barabarta në fushatë”, tha Reinhold Lopatka, kreu i delegacionit të APKE-së.

“Megjithatë, gratë mbetën të nën përfaqësuara; kultura e barazisë gjinore është ende e ulët dhe dhuna ndaj grave që hyjnë në politikë nuk është e pazakontë – veçanërisht në mediat sociale”.

Shqetësimet që ekzistojnë prej kohësh mbi saktësinë e listës së votuesve vazhduan të dobësonin besimin e publikut tek regjistrimi i votuesve. Në të njëjtën kohë, procesi i mbledhjes së nënshkrimeve të kandidatëve ka nevojë për masa mbrojtëse shtesë për të shmangur abuzimin. Vetë dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe e menaxhuar në mënyrë profesionale, megjithëse disa masa mbrojtëse procedurale nuk u ndoqën gjithmonë gjatë numërimit, thuhet në raport.

“Zgjedhjet u menaxhuan mirë dhe ne shpresojmë që parlamenti i ri do t’i ofrojë qeverisë mbështetjen e nevojshme për të bërë reformat e shumëpritura dhe shumë të nevojshme,” tha Nikos Papandreu, kreu i delegacionit të PE.

“Këto do të jenë të mundshme vetëm kur të ketë një mjedis politik të qëndrueshëm dhe konsensual, një hapësirë politike ku dallimet partiake nuk do të jenë pengesë për një rritje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë”, tha ai.

Mjedisi mediatik është i lirë dhe i larmishëm, por është i polarizuar përgjatë vijave politike. Transmetuesi publik plotësoi kërkesat ligjore për kohën e transmetimit falas dhe organizimin e debateve zgjedhore, por pjesa më e madhe e mbulimit zgjedhor u transmetua në kanalin e tij më pak të njohur, tha Papandreu.

Ai theksoi se shumica e qytetarëve malazezë janë pro anëtarësimit në BE.

“Ne presim që të bëhen disa gjëra, siç është përpjekja për përmbylljen e kapitujve 23 dhe 24, luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës dhe siç theksohet në deklaratën e përbashkët, reformën e legjislacionit zgjedhor,” tha Papandreu.

Papandreu tha se lufta ruse kundër Ukrainës përshpejtoi nevojën e vendeve për t’u anëtarësuar në BE dhe se ky është një shans për Malin e Zi.

“Unë mendoj se këto zgjedhje do të hapin rrugën për një shumicë të fortë parlamentare dhe kjo lloj shumice është e nevojshme që reformat të zbatohen,” tha Papandreu.

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit të zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare malazeze përbëhej nga 147 vëzhgues nga 27 vende, përfshirë 122 ekspertë të vendosur nga ODIHR dhe vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër, 19 parlamentarë nga PACE dhe 6 nga PE.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika