Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar një propozim pesëpikësh për shtensionim në veri të Kosovës. Lidhur me këtë, kreu i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të reja në veri të vendit.
Në një konferencë për media, teksa Kurti është pyetur se nga pikat e përmendura me të cilat i ka njoftuar ndërmjetësuesit e dialogut, a ka marrë ndonjë qëndrim nga Josep Borrell, Kurti ka thënë se ka shprehur gatishmërinë për deeskalim të situatës në veri, për çfarë pikë e parë është sundimi i ligjit.
“Jemi plotësisht të angazhuar në përputhje me obligimin dhe përgjegjësitë tona kushtetuese dhe me vlerat e BE-së dhe me misionin e tij në anën tjetër. Edhe në takimin në Bratislavë, edhe në kryeministri me Escobar dhe Lajçak, ka qenë konstatim i përbashkët që sundimi i ligjit nuk ka alternativë dhe nuk mund të vonohet. Jam i interesuar të ketë zgjedhje të reja, pjesëmarrja ka qenë e ulët, legjitimiteti është larg prej të qenit tamam në ato komuna, mirëpo ata të tjerët nuk kanë fare legjitimitet, duhet një proces i ri zgjedhor. Nuk mund të shkohet prej rrugës me shok-bomba, granat dore e plumba në pushtet komunal”, ka thënë ai.
“Nevojitet një proces zgjedhor, ku kriminelët përballen me drejtësinë. Kjo është oferta ime duke u bazuar në përgjegjësitë që kam dhe pres një përgjigje dhe diskutim të mëtutjeshëm me Brukselin për këtë gjë. Lulzim Hetemi nuk ka qenë fare i menduar se do të bëhet kryetar i Leposaviqit. Të gjithë kemi pritur që Aleksandër Jabllanoviqi të ishte kryetar”, shtoi Kurti.
Ai ka theksuar nga Brukseli pret që të vlerësohet gatishmëria e institucioneve të Kosovës edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të reja atje, edhe për vlerësim të përbashkët të sigurisë në veri.
“Nuk kam thënë që unë po e caktoj datën, le të konsultohemi me të gjithë akterët, nuk kemi nevojë edhe për një nxitim që na sjell në një dështim të ri, kemi nevojë që procesi i ardhshëm zgjedhor, jo vetëm të jetë i lirë, demokratik dhe fer, por të tillë ta ketë edhe fushatën zgjedhore. Na duhet fushatë e lirë për zgjedhje të lira, gjithsesi të parakohshme”, ka thënë Kurti.