Policia e Kosovës njofton se të martën e 13 qershorit, rreth orës 18:30, është bërë lokalzimi i personit të caktuar me inicialet B.A në Gjilan.
“Me datë 13.06.2023 rreth orës 18:30, pas një bashkërendimi profesional të punëve policore, hetuesit e antidrogës në Gjilan, ndihmuar nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme dhe antidroga e Ferizajt, është bërë i mundur lokalizimi i personit të kërkuar me iniciale (B. A.)”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.
Policia njofton se personi i kërkuar ndodhej në automjet edhe me dy persona të tjerë në parkingun e një moteli në Gjilan, por pas paralajmërimit nga Policia, ngasësi ka tentuar t’i japë vrull automjetit dhe i ka mbyllur dyert duke rrezikuar zyrtarët policorë.
“I dyshuari ka tentuar edhe zhdukjen e disa provave materiale, përfshirë hedhjen e një sasie të kokainës nga dritarja e automjetit”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Pas veprimeve policore është arritur të futet nën kontroll i dyshuari në kërkim dhe gjatë
kontrollit në automjet janë sekuestruar edhe provat/dëshmitë materiale si në vijim: një peshore elektronike, para të gatshme (70) euro, substancë narkotike e dyshuar si kokainë (5 gr.), substancë narkotike e dyshuar si marihuanë (1.5 gr.), elefon mobil – IPHONE, telefon mobil- IPHONE X dhe veturë Golf V me targa vendore.
Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit tre (3) personat e dyshuar ndalohen për 48 orë për procedura të mëtejme.