Grevë njëorëshe do të ketë të enjten në të gjitha institucionet publike. Kështu ka paralajmëruar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Në njoftimin e tyre thuhet se ky veprim po bëhet pa dëshirën e tyre, por që, janë të detyruar si pasojë e mospërfilljes së kërkesave nga ana e ekzekutivit.
BSPK-ja pret që të ketë dialog të mirëfilltë me institucionet qeverisëse të vendit, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e sindikalistëve.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk do dhe nuk dëshiron që mjetin e fundit të pakënaqësisë sindikaliste – Grevën ta përdorë kurdo dhe të parën, po kur zëri i arsyes nuk hap rrugën e duhur në të mirë të veprimeve të duhura që do të krijonin parakushtet dhe kushtet e duhura të qetësisë dhe të mirëqenies shoqërore-ekonomike atëherë nuk i mbetet tjetër veçse hyrja në Grevë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje në njoftimin e tyre thuhet se organizatorët e grevës do të përkujdesen që, edhe pse në grevë, shërbimet parësore të mos u mungojnë qytetarëve.
BSPK-ja ka njoftuar se, nëse nuk përmbushen kërkesat e kërkuara nga ta, më 20 maj do të ketë grevë gjithëpërfshirëse.
Kërkesat e BSPK-së, janë:
- Rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës deri sa të përmbushen kërkesat e mëposhtme.
- Miratimi i Ligjit të Pagave.
- Rritja e rrogës minimale
- Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor
- Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale
- Të ndryshohet neni në Ligjin e Sigurisë Pensionale të vitit 1983, sipas të cilit, kërkohet që të ketë 15 vjet kontribut në skemat pensionale para datës 01.01.1999.