Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, e ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pas anulimit të mbledhjes së përbashkët midi dy qeverisë, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ishte paraparë të mbahej këtë të mërkurë.
Me anë të një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi ka thënë se për herë të parë, një mbledhje e përbashkët e të dy qeverive anulohet.
Sipas saj, ky vendim i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, “duhet të shërbejë si këmbanë për të gjithë për situatën në të cilën e ka sjellë Kosovën Albin Kurti dhe qeveria e tij”.
“Kosova asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e izoluar më parë. Ky është çmimi i politikave populiste, të pamatura e të pakoordinuara të Albin Kurtit”, shkroi ajo.
Deputetja e PDK-së ka potencuar se përderisa vazhdimisht është bërë thirrje për ndryshim kursi të qeverisë në politikën e jashtme, të njëjtat sipas saj vazhdimisht janë injoruar.
“Kemi paralajmëruar izolimin ndërkombëtar të vendit, dhe ky izolim tashmë ka filluar. Anulimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive, Albin Kurtit duhet t’i shërbejë për të bërë një reflektim të thellë! Ose duhet ta ndërrojë kursin për 180°, ose duhet ta ofrojë dorëheqjen menjëherë, se Kosova nuk ia ka borxh këto aventura të tij”.
“E kuptoj që Albin Kurti mendon se është qendra e universit dhe gjithçka sillet rreth tij, por nuk duhet të harrojë se është e pamundur që të gjithë – ama bash të gjithë – të jenë gabim, e ai mirë”, shtoi më tej ajo.