Peci: Nëse duam të mbytemi vetë, s’ka arsye që të na mbetet hatri pse Shqipëria s’po mbytet me ne

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka thënë se nëse Kosova po do të mbytet vetë, atëherë nuk duhet t’i mbetet hatri që Shqipëria nuk po mbytet me të

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, njëherësh drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci

Drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, Lulzim Peci, teksa i ka komentuar zhvillimet e fundit, e ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj shtetit të Shqipërisë.

Me anë të një postimi në Facebook, Peci ka thënë se nëse Kosova po do të mbytet vetë, atëherë nuk duhet t’i mbetet hatri që Shqipëria nuk po mbytet me të.

“Nëse po dëshirojmë të mbytemi vet, nuk ka asnjë arsye që të na mbetet hatri se pse Shqipëria nuk po dëshiron të mbytet me ne! Kur e bën njet me bë vetëvrasje, askush nuk mundet të shpëtoj, edhe nëse e ke prind, vëlla apo motër! Fikë se fikë, bile me muzikë!”, shkroi Peci.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se i ka kërkuar homologut të tij kosovar, Albin Kurti, që të ndryshohet formati i mbledhjes së dy qeverive, që është paraparë të mbahet në Gjakovë më 14 qershor, por ai nuk ka pranuar.

Nga Qeveria e Kosovës thanë se kjo është hera e parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme.

“E kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”, tha Rama gjatë konferencës së jashtëzakonshme për media.

“Pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër në Gjakovë në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht lidhur me këtë situatë, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euroatlantike në një pikë të paimagjinueshme, ku kjo e fundit ka vënë gishtin, faktikisht, në butonin që do vërë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë”, shtoi ai.

Kryeministri i Shqipërisë tha se ndien keqardhje që nuk gjeti dakordësi me kryeministrin Kurti për një ndryshim të formatit. Rama tha se homologu i tij kosovar kishte kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht dhe pastaj veç të diskutonin për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Rama tha se kjo nuk mund të ndodhte, sepse, sipas tij, nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot.

Rama tha se ka bërë një përpjekje për t’iu kërkuar edhe pak kohë ndërkombëtarëve dhe se ka marrë edhe pak kohë, por paralajmëroi se nëse kjo kohë nuk shfrytëzohet, atëherë “kam shumë frikë se plani, që është një plan realisht shumë i rëndë për Kosovën, do të vihet në lëvizje”.

“Mbase nuk është një përgjigje përfundimtare nga ana e kryeministrit [të Kosovës, Albin Kurti], unë shpresoj shumë që të mund të takohemi për të ballafaquar opinionet në kushtet kur, e përsëris, jemi në prag të vënies në lëvizje të planit, se nuk ma zë as goja të flas për sanksione, por të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata të cilët qartësisht janë në kushtet e sosjes së durimit”, theksoi Rama.

Por, nga Qeveria e Kosovës thanë se takimet dypalëshe do të mund të mbaheshin çdo ditë tjetër.

“Jemi fare afër njëri-tjetrit si vende. Nuk do të ishte hera parë që do të takoheshim brenda ditës. Por, është hera parë që një mbledhje e përbashkët anulohet në mënyrë të njëanshme”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në veri të Kosovës tensionet janë rritur që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Që nga 29 maji, në këto tri komuna, serbët lokalë kanë protestuar vazhdimisht.

Bashkësia ndërkombëtare i ka parashtruar kryeministrit Kurti tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës dhe rikthimi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika