Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përmbyllur takimin me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në burgun e Hagës.
Pas këtij takimi, Rama përmes një videoje të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, takimin me Thaçin e ka quajtur si një çmallje të nevojshme.
Rama, po ashtu, ka potencuar se ish-presidentin Thaçi e gjeti më të bindur se asnjëherë se kjo ishte një rrugë e pashmangshme, e cila në të gjitha format e saj do të shfaqë përpara drejtësisë pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Presidentin Thaçi e gjeta në top formë, i bindur mbase edhe më shumë sesa kur e kam takuar më përpara sa të vinte këtu që kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërciprisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe, natyrisht, edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të UÇK-së dhe të udhëheqësve të UÇK-së”, shtoi Rama.
Ai ka theksuar se lufta e çlirimtarëve të Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund të futet në kornizat e tjera.
Kjo sepse, sipas tij, ajo tashmë është futur në kornizën e artë të heroizmit.
“Nuk ka shumë për të thënë, natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur se lufta e çlirimtarëve të Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund të futet në kornizat e tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit, sakrificave, të gjakut të dhënë, dhe të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane”, është shprehur Rama.
Ndryshe, pas zgjerimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar i pafajshëm.
Ndonëse Thaçi ka pohuar se e ka pranuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar të datës 29 prill 2022, ai ka deklaruar se aktakuzën e re nuk e ka kuptuar për shkak të redaktimeve të shumta.
“Nuk i kam kuptuar për arsye se nuk kam pasur mundësi t’i lexoj ato, sepse janë shumë të redaktuara”, ka thënë Thaçi kur është pyetur se a i ka kuptuar se çfarë duan të thonë akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.
“Deklarohem i pafajshëm”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të përballen edhe me akuza të tjera që pritet t’ua rëndojnë rastin.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit pritet që t’iu rëndohen akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës.
“Anëtarët e UÇK-së ua hoqën lirinë së paku 12 personave pa një proces të rregullt ligjor, duke i mbajtur ata në lokacione në Budakovë/Budakovo1 dhe Semetishtë/Semetište2 në periudha të ndryshme ndërmjet 4 korrikut 1998 dhe 29 prillit 1999”, thuhet në Anekset e aktakuzës, sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së i kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Një pjesë e madhe e këtyre anekseve janë të redaktuara, që i bie se publiku i gjerë nuk ka çasje në shumë prej detajeve, siç janë emrat e shumë personave të përmendur.
Në aneksin 7 të aktakuzës së publikuar flitet edhe për një rast që supozohet se ka ndodhur në një konvikt në Komunën e Gjilanit.
Sipas këtij aneksi, viktima supozohet të ketë qenë civil dhe jo në uniformë ushtarake.
“Në fund të korrikut 1999, [REDAKTUAR] u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin e Gjilanit/Gnjilane. 2 Në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe kartën e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit. 4 Atij nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi”
Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca ku të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.
Deri më tash asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë, të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.