Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ka kërcënuar shtetin e Kosovës dhe atë të Malit të Zi, duke thënë se do të ketë pasoja afatgjate nëse nuk lejohen zgjedhjet e tre prillit brenda territorit të të dyja shteteve.
Ai të hënën në një tubim elektoral ka thënë se, mund të pritet që Kosova dhe Mali i Zi të provojnë të mos i lejojnë zgjedhjet e shtetit serb brenda territorit të tyre.
Ai ka përmendur Qeverinë e Kosovës, që sipas tij, po kërkon që Serbia ta njohë si shtet, në këmbim të lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të tyre.
“Kurti do të marrë përgjigjen, e dini se çfarë përgjigje do të marrin. Përgjigje nga njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm, por, do të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë Vuçiq me tone kërcënuese.
Vuçiq, ka thirrur një takim me Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Serbi. Në takimin që pritet të mbahet të martën, pritet të diskutohet për mundësinë që Kosova ta refuzojë organizimin e zgjedhjeve të tre prillit.
Por, Qeveria e Kosovës tashmë ka dhënë një deklaratë publike në të cilën ka thënë se, qytetarët serbë mund të votojnë me postë ose në zyrat ndërlidhëse.
Albin Kurti- “duhet të ketë marrëveshje mes dy shteteve”
Kryeministri Kurti, në lidhje me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë me 3 prill brenda territorit të Kosovës, ka thënë se, duhet të ketë marrëveshje, që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja vendet.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti këto deklarata i ka thënë në një takim virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës.
Sipas komunikatës së kryeministrisë, thuhet se, nuk kanë për qëllim ta pamundësojnë votimin nga qytetarët serb të cilët kanë dy shtetësi, por, që sipas Kurtit, duhet respektuar edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Ky debat vjen si pasojë e refuzimit të mbajtjes së referendumit serb nga shteti i Kosovës.
Më 15 janar të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme në të cilën u miratua një rezolutë për ndalimin e mbajtjes së referendumit serb brenda territorit të Kosovës. Për miratimin e saj ishin bërë bashkë pozitë e opozitë.
Referendumi i mbajtur në Serbi kishte të bënte me disa ndryshime kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Reagimi i opozitës në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të Serbisë brenda Kosovës, ka thënë se, zgjidhja e vetme është një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të të dyja shteteve.
Sipas Haradinajt, tejzgjatja e arritjes së një marrëveshjeje do ta përkeqësonte angazhimin për paqe në Ballkan.
“Zgjidhja është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke që do t’i rregullojë këto çështje njëherë e përgjithmonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Në një deklaratë të mëhershme, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi kishte thënë se, i takon Qeverisë së Kosovës të vendosë se, a do t’iu mundësohet qytetarëve serb me dy nënshtetësi të votojnë në zgjedhjet e Serbisë a po jo.
“Nuk mendoj se mund të kthehemi prapa, do të ishte një hap prapa kthimi. Për këtë çështje i mbetet qeverisë të vendosë”, kishte thënë Krasniqi.
Ndërsa, Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta definojë qartë mendimin e saj.