Ligjvënësi amerikan, Ritchie Torres, përmes një videoje në Instagram, ka thënë se “beteja mes demokracisë dhe autokracisë është një nga sfidat kryesore për shekullin e 21”.
“Përse Departamenti amerikan i Shtetit po gjykon në mënyrë të gabuar Kosovën demokratike duke i bërë lëshime Serbisë, një vendi gjithnjë e më autokratik”, ka thënë Torres.
Tutje, shtoi se Kosova është aleat i palëkundur i ShBA-së, ndërsa Serbia ka qenë prej kohësh një satelit në orbitën e Rusisë si dhe të Kinës.
“Serbia ka refuzuar t’i vendosë sanksione Rusisë, pas agresionit në Ukrainë dhe krimeve të Putinit ndaj popullatës civile atje. Duke pasur parasysh këto fakte, njeriu pyet veten se pse DASh këmbëngul t’i bëjë lëshime një shteti satelit të Rusisë, në kurriz të një aleati të qëndrueshëm demokratik si Kosova”, u shpreh kongresisti amerikan.
Torres theksoi se ka ardhur koha që Departamenti i Shtetit të vendosë mbështetjen e tij aty ku vlerat qëndrojnë, pas demokracive të vërteta si Kosova.
Ndryshe, të mërkurën, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.
Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.