Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë u diskutua për rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë në brendi të territorit të vendit.
Pos kësaj, ai ka thënë se është diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks te katër komunat e vendit dhe brezit kufitar me Serbinë.
“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim, e kur nuk ka, është e gatshme që të krijojë ato”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, rasti i djeshëm “ishte agresion ndaj shtetit tonë, hakmarrje ndaj policisë sonë që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për deeskalim”.
Kreu i ekzekutivit ka theksuar se institucionet e vendit të rendit dhe sigurisë e kanë rritur nivelin e sigurisë dhe gatishmërisë.
“Janë shtrënguar kontrollet me Serbinë duke kufizuar qarkullimin. Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet e vazhdueshme të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet që mund të përbëjnë rrezik”, shtoi ai.
“Synimi ynë është siguria e cila fillon te kufijtë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë dhe u bëjmë thirrje ndërkombëtarëve që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.