Të enjten janë liruar qytetarët e arrestuar në Merdar nga policia serbe të martën.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjinin një familjar i njërit nga qytetarët e arrestuar, teksa ka bërë të ditur se janë liruar nga Gjykata e Kushumlisë dhe janë duke ardhur në Kosovë.
Të njëjtën e ka bërë të ditur edhe zëdhënësi i komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Ndryshe, Prokuroria e Kurshumlisë ka bërë të ditur për REL-in se janë liruar katër qytetarët e Kosovës të arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdar.
Ndërsa më 13 qershor, Drejtoria e Policisë në Prokuple, Stacioni policor në Kurshumli, ka caktuar masën e ndalimit deri në 48 orë ndaj personave: K.M, H.F, M.E, dhe M.D. – të gjithë nga Podujeva.
Qeveria e Kosovës të enjten bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
Kurti këto komente i bëri gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, e cila u mbajt pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.