Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ora 17:30 do t’u përgjigjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën pas kidnapimit të policëve të Kosovës nga ana e policisë serbe në veri të vendit.
Kjo vjen pasi opozita në seancën e sotme kërkoi nga kryeministri që të raportojë në lidhje me zhvillimet e fundit pas kidnapimit të policëve dhe gjendjen e tyre, situatën në veri dhe hapat që do të ndërmerren në vazhdim.
Ndërkaq, tashmë seanca e Kuvendit ka përfunduar në mungesë kuorumi, për të vazhduar pastaj me raportimin e kryeministrit në 17:30.
Ndryshe, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.
Të nesërmen, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe në territorin e Kosovës.
Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.